Secondary Adv

Bankat raportuan rënie të kërkesës për kredi për shtëpi në tremujorin e parë

Kërkesa për kredi hipotekare ra në tremujorin e parë, ndërsa bankat u orientuan më shumë drejt kredive konsumatore.

Kërkesa e individëve për kredi pësoi rënie në tremujorin e parë të vitit 2026, kryesisht si pasojë e uljes së interesit për financimin e blerjes së banesave. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të realizuar nga Banka e Shqipërisë, tregu i kredive për shtëpi ka dhënë sinjale të qarta ngadalësimi pas një viti rekord si 2025.

 

Pavarësisht niveleve të larta të kreditimit gjatë vitit të kaluar, ndikimi i masave kufizuese dhe faktorëve të tjerë rregullatorë duket se ka filluar të reflektohet në kërkesën aktuale.

 

Arsyet e rënies së kërkesës

Bankat raportojnë se ulja e kërkesës për kredi për banesa është ndikuar nga vonesat në miratimin e udhëzimeve që lidhen me Ligjin për Vlerësimin e Pasurive të Paluajtshme, si dhe nga kufizimet rregullatore në fuqi që prej korrikut 2025. Këta faktorë kanë krijuar pasiguri në treg dhe kanë shtyrë një pjesë të individëve të shtyjnë vendimet për blerje.

 

Ndërkohë, edhe vetë institucionet financiare kanë adoptuar një qasje më të kujdesshme në këtë segment, për shkak të shqetësimeve mbi ciklin e tregut të pasurive të paluajtshme, veçanërisht në Tiranë.

 

Bankat zhvendosin fokusin te konsumi

Në të njëjtën kohë, bankat kanë lehtësuar kushtet për kreditë konsumatore, duke ulur marzhet, rritur shumën e financimit dhe zgjatur maturitetet. Kjo qasje më fleksibël është nxitur nga konkurrenca në sistemin bankar dhe nga një tolerancë më e lartë ndaj rrezikut.

 

Kjo lëvizje ka shërbyer si një mënyrë për të kompensuar ngadalësimin në segmentin e kredive hipotekare.

 

Rënie edhe në miratimin e kredive

Vrojtimi tregon gjithashtu se edhe shkalla e miratimit të kredive për individët ka rënë gjatë kësaj periudhe. Ky zhvillim lidhet me vlerësimin më të kujdesshëm të historikut të kreditit dhe statusit aktual të huamarrësve.

 

Pritshmëri për rimëkëmbje në vijim

Për tremujorin e dytë të vitit 2026, bankat presin një rritje të kërkesës për kredi, si për konsum ashtu edhe për blerje banesash. Ky rikthim pritet të ndikohet edhe nga procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, i cili mund të nxisë aktivitetin në treg.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat